Ishte Bertha Ringer, bashkëshortja e Carl Benz, shpikësit të makinës së parë, “Benz Patent Motorwagen” në 1886 që kreu udhëtimin e parë në histori me makinë.
Bertha që në fejesë kishte financuar dhe mbështetur Carl Benz në kërkimet e tij.
Pas patentimit të shpikjes, me 5 gusht të vitit 1888 Bertha mori me vete 2 nga 5 fëmijët e saj në bordin e modelit numër 3 të “Motorwagen” dhe shkoi të vizitonte nënën e saj.
Bëhej fjalë për një udhëtim mjaft aventurier për kohën. Largësia ishte 194 kilometra, nga Mannheim në Pforzheim dhe kthim.
Udhëtimi u krye në rrugë të paasfaltuara dhe pa pika furnizimi me karburant.
Veprimi i saj pati shumë jehonë. Kjo sipërmarrje bindi Benzin dhe opinionin publik se automobili kishte të ardhme. Sot itinerari i përshkuar, i emërtuar “Bertha Benz Memorial Route” bën pjesë në pasurinë industriale të njerëzimit.