Ju zë makina?!  10 këshilla për të parandaluar problemet në udhëtim  

Sëmundja e lëvizjes (kur të zë makina apo deti) është një shqetësim shumë i zakonshëm i veshit të brendshëm që shkaktohet nga lëvizja e përsëritur. Çdokush mund të vuajë nga ky problem por më të prekurit janë fëmijët nga 2 deri në 12 vjeç, gratë shtatzëna dhe njerëzit që janë të prirur për migrenë. Përveç udhëtimit në det, ky shqetësim mund të krijohet gjatë udhëtimit me makinë ose nga turbulencat në avion.

Cilat janë simptomat e sëmundjes së lëvizjes?

Simptomat e sëmundjes së lëvizjes janë:

  • të përzier,
  • të vjella,
  • marramendje,
  • djersitje, dhe
  • një ndjenjë e sikleti të brendshëm.

Këto simptoma lindin nga veshi i brendshëm për shkak të ndryshimeve në ndjenjën e ekuilibrit dhe balancës së një personi.

10 këshilla për të parandaluar shqetësimet

Ndërsa mund të jetë e pamundur të parandalohen të gjitha rastet e sëmundjes së lëvizjes, këshillat e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë të parandaloni që ‘t’u zërë makina’:

  1. Bëni kujdes me ushqimet që konsumoni, pijet dhe alkoolin para dhe gjatë udhëtimit. Ushqime të rënda, pikante ose të pasura me yndyra mund të përkeqësojnë shqetësimin te disa njerëz.
  2. Shmangia e aromave të forta të ushqimit gjithashtu mund të ndihmojë në parandalimin e të përzierit.
  3. Mundohuni të zgjidhni një vend ku do të keni sa më pak lëkundje gjatë udhëtimit. Mesi i një aeroplani mbi krah është zona më e qetë e një aeroplani. Në një anije, ata që ndodhen në kabina të nivelit më të ulët afër qendrës së një anijeje zakonisht përjetojnë më pak lëvizje sesa udhëtarët në kabinat më të larta ose të jashtme.
  4. Mos u ulni me drejtim prapa nga drejtimi juaj i udhëtimit.
  5. Uluni në sediljen e përparme të një makine.
  6. Mos lexoni gjatë udhëtimit nëse jeni të prirur për këtë lloj sëmundjeje.
  7. Kur udhëtoni me makinë ose anije, ndonjëherë mund të ndihmojë të mbani shikimin të fiksuar në horizont ose në një pikë fikse.
  8. Hapni një dritare ose burim ajri të pastër nëse është e mundur.
  9. Izoloni veten nga të tjerët që mund të vuajnë nga sëmundja e lëvizjes. Dëgjimi i të tjerëve kur flasin për sëmundjen e lëvizjes ose shikimi i të tjerëve që sëmuren ndonjëherë mund t’ju ​​bëjë të ndiheni të sëmurë edhe vetë ju.
  10. Mjeku juaj gjithashtu mund të zgjedhë t’iu japë ilaçe për udhëtime më të gjata ose nëse vazhdimisht zhvilloni shqetësime të tilla. Mos harroni se disa prej tyre mund të shkaktojnë përgjumje dhe kanë efekte anësore ndaj mos përdorni asnjë medikament pa konsultim me mjekun.
Share on facebook
Facebook
Share on twitter
Twitter
Share on linkedin
LinkedIn
Share on whatsapp
WhatsApp