Nga Kolumbia, në veçanti në Medelin, vjen suksesi i një zgjidhje relativisht të thjeshtë dhe ekonomike për të luftuar temperaturat e larta në qytete. I bazuar në një infrastrukturë relativisht komplekse por që për t’u instaluar e menaxhuar nuk kërkon investime të mëdha në teknologji: vetëm pemë.

Projekti parashikon një përhapje strategjike të pemëve në zona urbane për të luftuar pasojat e mbinxehjes globale.

Ndoshta qyteti i dytë më i madh i Kolumbisë është më shumë i njohur për kartelin e drogës që mban emrin e tij, por Medelin është mbi të gjitha qendra e pjesës më të madhe të zyrave politike dhe në lagjet e tij jetojnë thuajse 4 milionë persona. Për t’u dhënë atyre lehtësim përballë rritjes së temperaturave, komuna ka mbështetur një projekt të emërtuar “Green Corridors”, dmth korridorët jeshilë.

Një zgjidhje që “International Union for Conservation of Nature IUCN” e përcakton si “veprim për të mbrojtur e menaxhuar në mënyrë të qendrueshme ekosisteme natyrore dhe të modifikuara që përballojnë sfidat e shoqërisë në mënyrë efikase dhe përcaktuese, duke mundësuar njëkohësisht mirëqënie njerëzore dhe përfitime për biodiversitetin.

Si u krijuan korridorët jeshilë?

“Kur morëm vendimin për të mbjellë 30 korridorë jeshilë, u përqëndruam në zona ku mungonin hapësirat e blerta”- kujton kryebashkiaku Federico Gutierrez në një shënim të shpërndarë në Kombet e Bashkuara. Ai thotë se me këtë ndërhyrje është arritur reduktimi i temperaturave me më shumë se 2 gradë celcius dhe qytetarët e kanë ndjerë këtë.

Kjo zgjidhje u mundëson hije këmbësorëve dhe atyre që lëvizin me biçikletë si dhe pastron ajrin përgjatë rrugëve që kanë më shumë trafik. Pa harruar këtu rikualifikimin estetik dhe funksional të lagjeve.